“Do të ishte katastrofë nëse Tirana e humbte këtë kampionat”. Kështu mendon Rezart Dabulla, i cili ka qenë protagonist kur bardheblutë kanë ngritur për herë të fundit titullin, pikërisht në sezonin 2008-2009.

Sot, 11 vite më pas nga ajo Tirana-Vllaznia që vendosi kampionatin, dy klubet legjendë të futbollit shqiptar përplasen në një takim ku objektivat janë të ndryshëm. Ish-mbrojtësi që ka luajtur edhe për Vllazninë, në një intervistë për “Panorama Sport”, mundohet t’i bëjë një analizë “gjakftohtë” rëndësisë që ka ky takim.

Pas një ecurie fantastike, vjen edhe humbja për Tiranën, por e kombinuar edhe me triumfin e Kukësit dhe ngushtim të diferencës. Sa pasoja mund të lërë disfata në Durrës te bardheblutë?

Një ditë do të humbiste edhe Tirana, pasi kishte 17 ndeshje që merrte vetëm rezultate pozitive. Nuk mendoj se kjo humbje është një goditje e madhe për ekipin, por gjithashtu s’mund të them që është e vogël. Ky është një moment shumë i vështirë. Në fund të fundit humbja nuk ndikon asnjëherë për mirë dhe natyrshëm skuadra do të jetë pak e ngarkuar psikologjikisht. Duke parë që edhe Kukësi është afruar me pikë, tashmë për Tiranën do të jetë një ndeshje delikate kjo me Vllazninë.

I druheni mënyrës se si mund të reagojë skuadra pas një humbjeje?

Shikoni, Tirana ka dy ndeshje shumë delikate përpara se të shkojë te përballja direkte me Kukësin. Jo vetëm me Vllazninë, por edhe takimi në Korçë duhet fituar patjetër. Tirana duhet të ketë favorin që në ndeshjen direkte të luajë e lirshme dhe për dy rezultate: barazim dhe fitore. Prandaj them që këto dy ndeshjet e radhës kanë rëndësi jetike për fitimin e titullit.

OK, por Tirana është sërish 6 pikë para Kukësit dhe mund të ketë luksin të pranojë edhe ndonjë barazim në këto dy ndeshje…

Për mua absolutisht jo. Në rast se Tirana nuk fiton me Vllaznisë ose minimalisht barazon, sërish do ta cilësoja humbje. Në këtë situatë Tirana ka se çfarë humbet, ndërsa Kukësi rival nuk ka çfarë të humbë. Pra, rivali është më komod në këtë aspekt, sepse vetëm mund të përfitojë, s’ka çfarë humbet më. Kukësi pret nga gabimet e Tiranës dhe ekipi kryesues është ai që ka gjithmonë presionin me vete. Prandaj them se nga këto dy ndeshje varet fitimi i titullit. Për mua Kukësi ka një kalendar më të mirë se Tirana.

Pse mendoni kështu?

Duke parë ndeshjet e mbetura, gjykoj se ka një kalendar më favorizues, për vetë faktin se e ka kaluar edhe ndeshjen me Partizanin, ku Tirana nuk ka ndonjë garanci që e fiton. E përsëris, dy ndeshjet e radhës me Vllazninë dhe Skënderbeun janë jetike për Tiranën. Duhet t’i fitojë medoemos për të qenë sa më afër fitimit të titullit, në mënyrë që kur të vijë ndeshja direkte, të luajë me dy rezultate. Nuk duhet harruar që edhe pas asaj ndeshjeje direkte ka derbin.


Çfarë ndeshjeje prisni ndaj Vllaznisë dhe pse sipas jush Tirana duhet ta fitojë patjetër?

Shikoni, në Durrës mund ta pranoje një barazim, por jo humbjen, sepse ndikon keq për ecurinë dhe humorin e skuadrës. Tirana ishte 9 pikë para dhe kishte luksin të humbte një ndeshje, por tani nuk mund të pranohen disfata radhazi. Një gabim lejohet, ashtu siç kanë bërë edhe kundërshtarët e Tiranës, por puna është që duhet ta rikuperojë tashmë. Ndaj Vllaznisë duhet të fitojë patjetër, sepse së pari ka një ekip më të mirë dhe së dyti luan në shtëpinë e vet.

Vllaznia është një skuadër që të lë të luash futboll. Të dyja skuadrat bëjnë një futboll të kënaqshëm dhe ka fituar gjithnjë ai që e ka merituar në fushë. Vllaznia nuk mbyllet mbrapa, po je i zoti, e mund në fushën e lojës. Por, Tirana duhet të jetë e kujdesshme mbrapa, nuk mund të kalojë në aventurë.

Duke njohur ambientin te Tirana, sa punë mund të prishë qoftë edhe një humbje e vetme pas disa muajsh të mrekullueshëm?

Nuk besoj se e kanë përjetuar si dramë, por si një ndeshje të radhës ku ndodh edhe të humbasësh. Dramë do të jetë nëse Tirana gabon edhe ndaj Vllaznisë. Ndoshta ndeshja me Teutën e ka ndihmuar Tiranën për të qenë më e kujdesshme dhe të korrigjohet menjëherë. Tashmë skuadra do të shikojë veten ku është pas një gabimi në momentin më delikat të kampionatit. Impenjimi për ndeshjet në vazhdim duhet të jetë i madh me synimin e vetëm që të mbahet distanca prej 6 pikësh. Nëse ajo shkon 3, atëherë presioni shtohet dhe nisin problemet.


Çfarë duhet të ketë më shumë frikë Tirana në këtë moment?

Duhet t’i druhet vetëm vetes së vet, askujt tjetër. Tirana e ka në dorë fitimin e këtij kampionati, sepse ka 11 vite që nuk e fiton, madje herën e fundit kam qenë vetë në fushë kur ngritëm trofeun (sezoni 2008-2009). Ka ardhur koha që Tirana ta fitojë këtë dreq kampionati, sepse janë shumë 11 vite pa titull për këtë klub. Por, kampionatin e fitojnë ata që janë në fushë, ata që luajnë dhe jo ne me deklarata apo dëshira. Siç kanë fituar 16 ndeshje, e kanë ata në dorë tani për të rifilluar një ecuri pozitive.

Kush mund ta bëjë diferencën ndaj Vllaznisë?

Ata që e kanë bërë gjithmonë. Unë shoh që skuadra ka liderë në sektorë të ndryshëm të fushës, duke filluar nga porta në mbrojtje, mesfushë dhe sidomos nga krahët e sulmit. Ky formacion që ka aktualisht Tirana është më i miri i mundshëm. Me pak fjalë, lojtarët i ka dhe ekipi është mirë fizikisht, por gjithashtu edhe nga ana psikologjike. Ka futbollistë që mund të zgjidhin ndeshjen, pra që janë individualisht shumë të zotë nga ana teknike.

Duhet ta marrin seriozisht këtë punë, duke mos nënvlerësuar asnjë kundërshtar, sepse një gabim i vogël të prish gjithçka. Kur vijnë ndeshjet direkte, nuk ke garanci nëse shkojnë mirë apo keq. Pastaj do të ishte turp i madh për Tiranën, që të ketë pasur një diferencë 9 pikë nga vendi i dytë me 8 ndeshje të mbetura dhe të ketë humbur kampionatin.


Nuk e shkoni kurrë nëpër mend këtë?

As dua ta shkoj nëpër mend këtë, por do të ishte një çmenduri nëse ndodh. Më saktë do të ishte një katastrofë për klubin, tifozët dhe të gjithë ne. Prandaj duhet t’i fitojnë me patjetër këto dy ndeshje të radhës. Ky është një moment që Tiranës i duhen lojtarë me autoritet, njerëz që marrin përsipër, që thonë: jam unë ai që e bëj golin apo godas portën etj.


Pikë jetike i duhen edhe Vllaznisë që është në zonën “play out”. E bën kjo ndeshjen edhe më të rrezikshme?

Gjithmonë kur këto dy skuadra janë përballur me njëra-tjetrën, secili nga lojtarët e ka parë si ndeshjen ku do që të tregojë veten sa më mirë. Për një lojtar të Vllaznisë që kërkon të afirmohet, është një reklamë shumë e mirë kjo ndeshje. Pra, të luajë mirë dhe të marrë pikë ndaj ekipit që kërkon të shpallet kampion. Kjo sigurisht që e bën ndeshjen shumë të rrezikshme për Tiranën. Unë kam luajtur edhe në Shkodër dhe ruaj kujtimet më të mira, qoftë për respektin e ndërsjellë, dashamirësinë, kulturën etj.