Drejtuesit e Vllaznisë, përveç afrimeve të reja në ekip, kryesisht nga tregu i huaj, paralelisht i vazhdojnë bisedimet për rinovimin e kontratave edhe me lojtarë të organikës së sezonit të shkuar.

Burime pranë klubit kanë bërë me dije se Dajan Shehi është titullari i radhës që ka pranuar rinovimin me Vllazninë. Lojtari, me sa duket, është bindur nga oferta e fundit e drejtuesve, kështu që mbrojtësi do të vijojë të kontribuojë për kuqeblutë edhe në sezonin e ri.

MERKATO – Vllaznia ka qenë shumë aktive në merkaton në hyrje në këtë periudhë, proces i cili vijon të mbetet i hapur. Kasius Vinicius Koelho është nga dje lojtari më i ri i Vllaznisë. Braziliani, pasi ka rënë dakord me klubin shkodran, dje ka hedhur edhe firmat në kontratë dhe është prezantuar për faqen e klubit.

Bëhet fjalë për një lojtar 25 vjeç, 192 centimetra i gjatë, i cili erdhi nga skuadra e AA Anapolina. Me sa duket, ky do të jetë edhe përforcimi i radhës për mbrojtjen shkodrane. I fundit që është prezantuar nga klubi ka qenë mesfushori shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili më herët ka luajtur edhe me ekipin e Kamzës në Kategorinë Superiore.

Me sa duket, Vllaznia po fillon që të rikompozohet për të qenë e gatshme për sezonin e ri. Gjithsesi, drejtuesit e klubit po shikojnë edhe mundësitë e tjerë për t’u forcuar. Ato janë në pritje të një përgjigjeje përfundimtare nga dy sulmuesit e kontaktuar, Rexhepi dhe Hebaj. Të dy lojtarët pritet që shumë shpejt t’i kthejnë një përgjigje klubit për të ardhmen e tyre.

Deri tani me ekipin janë bashkuar portieri Zogoviç, mbrojtësit Isufi dhe Isaevski, mesfushorët Uheid Hoxha dhe Demir Imeri, si dhe sulmuesit Ardit Hoxhaj dhe braziliani Viktor da Silva. Me shumë mundësi kësaj liste sot pritet që t’i bashkohet edhe mbrojtësi brazilian, Kasius Vinicius Koelho.