Në 21 ndeshjet që Vllaznia ka zhvilluar këtë sezon, ajo ka pësuar vetëm 8 gola. Më pak se të gjithë ekipet e tjera të kategorisë së parë dhe kjo e tregon më së miri garancinë e suksesit të kuqebluve.

Nëse në manovrën sulmuese “peshën” më të madhe të golave e mban sulmuesi brazilian, në mbrojtje janë disa futbollistë që e kanë bërë këtë gjë, përfshi këtu edhe portierin Sherri.

Por përveç tij, “zbulimi” i mbrojtjes shkodrane këtë sezon ka qenë dyshja e qendrës së saj e përbërë nga rumuni Dan Ignat dhe vlonjati Valto Zeqaj.

Të dy ata erdhën në verën e vitit të kaluar në Shkodër dhe ndonëse ndaj tyre kishte pak skepticizëm në fillim, me kalimin e javëve ata treguan se do ishin të rëndësishëm.

Në disa javë bashkë me ta në qendër të mbrojtjes ka luajtur edhe Malota, por më së shumti kanë qenë Ignat dhe Zeqaj që kanë mbajtur peshën e qendrës së mbrojtjes.

Por jo vetëm kaq. Duke qenë se janë shtatëlartë, ata nuk kanë munguar që të shënojnë edhe në portat kundërshtare në goditjet e tyre me kokë në goditjet standarte. Rumuni Ignat ndaj Besëlidhjes shënoi golin e dytë, ndërkohë që Zeqaj shënoi në ndeshjen e parë të kësaj faze, atë ndaj Korabit në Peshkopi.
© shkodrasport.com