Vllaznia mbërriti sërish në finalen e Kupës së Shqipërisë, teksa mposhti pas goditjeve të 11-metërshave, Partizanin. Ky ishte një kualifikim me shumë vlerë pasditën e djeshme ndaj Partizanit, në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, pasi i dërgon shkodranët në finale dhe padyshim që, një gjë e tillë do ta ndihmojë ekipin edhe nga ana psikologjike, që nuk ka qenë fort pozitive periudhën e fundit.
Megjithatë nga ana tjetër, ajo që ka rënë në sy tek loja e djeshme e kuqebluve, ka qenë paraqitja e mirë e mbrojtësit malazez, Darko Bulatoviç. Dje, ai luajti në qendër të këtij reparti bashkë me Adilin.
Malazezi e bëri shumë mirë rolin e qendërmbrojtësit dhe ky është një lajm i mirë për stafin teknik, sepse në ndeshjet e ardhshme, pritet të mungojë Diagne, edhe pse shpresat janë se ai do të rikthehet.
Në këtë mënyrë, Darko Bulatoviç do ta ndihmojë trajnerin Plori, që të mos ketë “dhimbje” koke për ndërtimin e formacionit për sfidat e ardhshme dhe kjo padyshim që është diçka shumë pozitive, sidomos pas çështjes aktuale me mbrojtësin tjetër, senegalezin Fallou Diagne.
Maringlen ZHIVANI