Jyrgen Klop e arriti objektivin së bashku me skuadrën e tij, ndonëse për trajnerin e Liverpulit ajo përgjumje në fund mund të ishte shmangur.

“E dinim se do të kishte qenë sërish e vështirë me Benfikën dhe realisht ata e treguan se ishin një rival i denjë.

Kjo, pasi në të vetmin gabim tonin në pjesën e parë na ndëshkuan duke barazuar shifrat në 1-1, ndërsa në momentet e përgjumjes sonë finale arritën që të rikuperonin një disavantazh prej dy golash.

Na vjen keq, pasi mendoj se deri në minutën e 70-të ndoshta bëmë ndeshjen më të mirë sezonale. Mund të kishte qenë e tillë, nëse në fund siguria e avantazhit të thellë luajti kundër nesh.

Edhe pse nuk jam nga ana që toleroj shumë gjëra, mund të them se këtë herë mund t’ia fal skuadrës.

Kemi bërë një sezon të gjatë dhe fantastik, e kemi merituar gjysmëfinalen, por nuk kemi fituar ende asgjë, ndaj tani e në vazhdim nuk dua më shpërqendrime të kota”, deklaroi trajneri gjerman i të kuqve.