Ditën e djeshme, dy ekipe të shoqatës sportive “Atletik Club Shkodra” janë nisur drejt Italisë për të marrë pjesë në turneun e përvitshëm “Citta Della Pace”, që zhvillohet Roveretto.

Kështu, bëhet fjalë për ekipet e grupmoshave U9 dhe U11, të drejtuar nga trajnerët Eder Zmijani, Erion Mandi, Denis Çokaj, Fation Taraboshi, Selman Legata dhe Ditmir Rakaj.

Ky është viti i 10-të që ekipet e Shkodrës marrin pjesë në këtë turne mbarëbotëror dhe në edicionin e sivjetshëm do të jenë të pranishëm 32 ekipe nga shtete të ndryshme.

Duke folur për mediat përpara nisjes, trajneri Zmijani është shprehur se objektivi kryesor është fitimi i kupës me të dy ekipet, ndërsa theksoi se e rëndësishme është edhe që fëmijët të kënaqen në këtë aktivitet.

“Atëherë, rikthehemi në turneun e Italisë, pas dy viteve ndalesë, që ishte pandemia. Tani rikthehmi në turneun në Roveretto në Itali. Pjesëmarrja është me dy ekipe sivjet. Këtë vit përfaqësohemi me grupmoshën U9 dhe U11, shkaku i pandemisë.

Më vjen keq për ekipet U15 dhe U13, që nuk munden të jenë pjesë e aktivitetit. Kemi hasur tek problemi i vaksinave për të gjithë lojtarët më të mëdhenj, për të shkuar të gjithë në aktivitet.

Normalisht, objektivi kryesor është për të marrë kupën. E rëndësishme është që fëmijët të luajnë në aktivitet, të kënaqen dhe normalisht që është e rëndësishme edhe të fitohet kupa.

Me të dy grupmoshat pretendojmë për kupë. Edhe me moshën U9, edhe me grupmoshën U11, pasi edhe në kampionatet respektive janë të dyja në vendin e parë, edhe U9 dhe U11.

Normalisht, ka shumë ekipe prej të gjithë Europës. Te grupmosha U9 janë rreth 32 ekipe që marrin pjesë, që janë nga gjithë Europa. Nga grupmosha U11 janë 30 ekipe që marrin pjesë nga e gjithë Europa”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Atletik Club, Eder Zmijani.
Maringlen ZHIVANI