“Emisioni” Analizë Superiore publikoi ditën e sotme formacionin më të mirë të sezonit 2021/2022 në Abissnet Superiore. Një ndër dilemat më të mëdha ishte në lidhje me sulmuesin e krahut të majtë.
Liridon Latifi dhe Redon Xhixha shkëlqyen me Vllazninë e Tiranën. I pari shpreson të fitojë Kupën e Shqipërisë me ekipin shkodran, teksa sulmuesi kurbinas u shpall kampion me Tiranën, ekip ku dha një kontribut të madh.
Në emisionin e drejtuar nga gazetari Sokol Xhihani dhe Fation Bardhi, videoanalisti i kombëtares U19, u përzgjodh 28-vjeçari i Vllaznisë, që në bazë të statistikave personale ia doli përballë 23-vjeçarit bardheblu.
“Latifi, ndryshe nga Xhixha, vihet më shumë në kontakt me topin, vertikalizon, preferon të luajë me topin, futet në driblim, asiston. Janë dy tipologji të ndryshëm lojtarësh.
Xhixhës ia ka dhënë Zot shpejtësinë dhe aftësinë për të shënuar. Disa elemente i ka më të spikatur njëri, disa të tjera tjetri. Nuk është e prerë që ky është më i miri. Të dy kanë zhvilluar një sezon fantastik”, deklaroi Fation Bardhi.
Latifi e mbylli këtë sezon në Abissnet Superiore me 12 gola dhe 6 asiste, ndërsa Xhixha regjistroi 14 gola dhe 6 asiste.