Elmir Lekaj shkëputi ditën e djeshme marrëdhëniet me skuadrën e tij Rabat Ajax në Maltë. Lajm që ishte paralajmëruar nga “Shkodra Sport” prej disa kohësh.

Mbrojtësi shkodran u duk se do rikthehej në Superligë, dhe më konkretisht tek skuadra e Egnatias. Rrogozhinasit që kishin shfaqur interes konkret për ish-futbollistin e Vllaznisë.

Por duket se e ardhmja e Lekajt ka marrë një kthesë të papritur. “Shkodra Sport” mëson se tashmë ai ka firmosur me skuadrën kosovare të Ulpijanës. Ekip që militon në ligën më të lartë të futbollit dardan dhe që për momentin ndodhet në vendin e 9-të të ligës me 18 pikë.

Lekaj madje tashmë ndodhet në Antalia të Turqisë ku skuadra e tij e re po bën përgatitjet dimërore. Kjo do jetë eksperienca e dytë e mbrojtësit në Kosovë ku më parë është aktivizuar me Arbërinë. Gjithashtu Lekaj ka luajtur edhe me Vllazninë dhe Rabat Ajax në Maltë.

Endri ÇINARI