Arijanet Muriç nuk do ta kujtojë me shumë nostalgji debutimin e tij në kampionatin holandez të futbollit, ku u huazua pak javë më parë në radhët e Vilem II. Portieri i përfaqësueses së Kosovës kërkonte hapësira për të luajtur rregullisht pasi te Zhirona në Spanjë nuk iu dha një mundësi e tillë ndaj ndryshoi kampionat.
Por hapi i tij i parë në Holandë nuk ka qenë ashtu siç pritej, përkundrazi. Në ndeshjen e sotme përballë Fejenord, portieri kosovar u përball me furinë e skuadrës vendase e cila dominoi duelin nga fillimi, deri në fund, duke regjistruar 23 tentativa drejt portës.
Muriç bëri të vetën duke pritur 7 prej tyre, por u detyrua të nxirrte pesë herë topin nga rrjeta pasi dueli u mbyll me rezultatin 5-0.
Një debutim zhgënjyes për të në Holandë, në ndeshjen ku titullar dhe i aktivizuar për 90 minuta ishte edhe mesfushori i përfaqësues shqiptare, Lindon Selahi. Vilem II aktualisht gjendet në vendin e 16 në renditje, në zonën e play-off për të mos rënë nga kategoria dhe duhet të rikuperojë 6 pikë ndaj skuadrës që ka më sipër në klasifkim. /vipsport/