Nga Endri ÇINARI

Vllaznia mori fitoren e 5-të rradhazi në kampionat ditën e djeshme. Ku në ndeshjen e javës së 27-të, që mbylli edhe fazën e tretë, kuqeblutë mposhtën Skënderbeun në shifrat 0-1. Një sukses që erdhi në transfertë falë një goli të shënuar me penallti nga ana e Balajt.

Ky 3 pikësh mban ekipin e Osmanit në vendin e 2-të të renditjes, ku tashmë kuqeblutë janë vetëm 2 pikë pas Egnatias kryesuese. Në ndeshjen kundër Skënderbeu përveç 3 pikëve duket se u fitua edhe një lojtar. Fjala është për Aron Jukajn, portierin 18-vjeçar që u prezantua si titullar ditën e djeshme kundër korçarëve.

Kjo si pasojë e dëmtimeve të Qarrit dhe Mehidrit, që nuk mund të ishin pjesë e formacionit. Por performanca e Jukajt ishte me të vërtetë për tu duartrokitur në fund të 90 minutave. Një debutim plot personalitet me fanellën kuqeblu, ku gardiani u tregua në më shumë se 3 raste shumë i saktë me pritjet e tij ndaj sulmuesve kundërshtarë.

Nga një “dhimbje koke” për Osmanin dhe stafin e tij për mungesën e portierëve, duket se kjo “dhimbje” shtohet akoma më shumë. Kjo pasi edhe Mehidri në ndeshjet ku është aktivizuar ka treguar një nivel shumë të mirë, siç ndodhi me Jukajn dje.

Duket se të 3 gardianët e Vllaznisë ofrojnë garanci në çdo moment dhe patjetër kjo është diçka që “ngroh” shkodranët edhe në rastet kur skuadra vuan nga mungesat./www.shkodrasport.com/