E quan veten “president nderi” te Kukësit, por Safet Gjici vazhdon të marrë çdo vendim në drejtimin e verilindorëve dhe me tagrin e drejtuesit të kësaj skuadre, kërkon që kampionati të mbyllet në tavolinë dhe skuadra e tij të shkojë në Ligën e Kampioneve. Drejtuesi ka shpjeguar në një prononcim për RTSH se skuadrat shqiptare nuk kanë as kushtet dhe as kohën e duhur në dispozicion për të çuar në fund kampionatin.
“Në radhë të parë duhet të ruajmë shëndetin e lojtarëve se nëse infektohen lojtarët, pastaj nuk arrijmë të bëjmë Kupat e Europës. Nuk kemi kohë fizike për t’u përgatitur për të luajtur në fushë për shkak se ka dy muaj e gjysmë gati që futbollistët janë në shtëpitë e tyre dhe nuk kanë bërë asnjë stërvitje.
Kam thënë që është një kampionat I zbehtë, pa tifozë, do kemi një rrezik të jashtëzakonshëm që do të thotë që nëse një futbollist do të infektohet me COVID-19, të gjitha klubet infektohen. Klubet tona nuk kanë mundësi financiare, organizative dhe strukturore që të zbatojnë pikë për pikë protokollin e Ministisë së Shëndetësisë. Prandaj nuk kemi 15 hotele që të themi një këtu, një këtu, një këtu.
Nuk jam për ta bllokuar sportin, jam për ta hapur, por o hapet tani, o nuk hapet më, se nuk kapim afatet. Më 2 gusht duhet të jetë i përfunduar kampionati, ne duam 3 javë minimum që të bëjmë fazë përgatitore, i bie që po nuk u hap me 14, ne me datën 1-2 të fillojmë ndeshjet zyrtare, nuk e kapim dot”, shpjegoi ai këndvështrimin e tij që është shumë interesant duke llogaritur se në teori Kukësi është skuadër e mirëfinancuar dhe ndër më cilësoret në vend, pa probleme e telashe ekonomike.
Sa i përket pjesëmarrjes në Europë, edhe pse UEFA thotë se meritokracia sportive do të merret parasysh për renditjen që çon skuadrat në kompeticionet ndërkombëtare, Gjici thotë se ka informacione të tjera nga ndërkombëtarët dhe nëse mbyllet kampionati në tavolinë, ekipi i tij shkon në Ligën e Kampioneve dhe jo Tirana kryesuese.
“Llogjikshëm do të ishte të vendosej sipas pikëzimti të Europës që i bie Skënderbeu, Kukësi e me radhë. Por Skënderbeu nuk futet, futet Kukësi. Ose Federata me UEFA-n të vendosë sipas renditjes që është sot, kjo është një çështje për ta vendosur UEFA. UEFA në fakt, sipas informacioneve që kam unë, ka thënë që kampionatet nëse mbyllen, do të vlerësohen skuadrat sipas pikëzimeve që kanë ekipet në Europë,
Domethënë nëse Skënderbeu është me pikë në krye të tabelës e pas Skënderbeut vjen Kukësi, Skënderbeu nuk futet për shumë e shumë arsyet që dimë, e i bie që Kukësi të shkojë në Chamapions League. Por edhe nëse do të vendoset në bazë të renditjes që është sot, ne nuk kemi probleme, nuk është problemi ynë si vendoset për të luajtur në Europë apo në Ligën e Kampioneve”, deklaroi “presidenti i nderit” i verilindorëve. /vipsport/