Fillon ditën e sotme grumbullimi paraprak për ndeshjet zyrtare eliminatore drejt Euro 2020, ndaj Islandës në transfertë në 8 Qershor dhe Moldavisë në Elbasan Arena më datë 12 Qershor.

Stërvitja e parë për këtë grumbullim paraprak fillon në orën 17:00, në Kompleksin Tropikal, dhe në urdhërat e trajnerit Reja do të jenë 10 lojtarë. 10 lojtarët kanë përfunduar sezonin me klubet e tyre dhe janë grumbulluar për të ruajtur gjëndjen e tyre fizike si edhe për tu vëzhguar nga afër nga stafi teknik i ekipit kombëtar.

Në listën e publikuar pak minuta më parë në faqen zyrtare të FSHF-së, Reja ka surprizuar me emrat e grumbulluar. Bie në sy emrat e katër futbollistëve të kampionëve të Shqipërisë, Partizanit. Bruno Telushi dhe Esat Mala janë dy risitë, ndërkohë që Lorenc Trashi dhe Alban Hoxha janë sërish pjesë e kuqezinjve.

Enea Mihaj është prurja më e re e Rejas, ndërkohë që 73 vjeçari italian ka rikthyer te kuqezinjtë edhe mesfushorin 23 vjeçar, Ylber Ramadani si dhe yllin e Brescia, Emanuele Ndoj.

Kjo javë stërvitore që do të përmbyllet ditën e shtunë me një seancë paradite. Ditën e hënë, më 27 Maj, trajneri Reja do të dalë në konferencë për shtyp ku do të bëj publike dhe listën zyrtare të lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet eliminatore të muajit qershor.

Në stërvitje me lojtarët e grumbulluar nga trajneri Reja do të jenë dhe 12 lojtarë nga U-21, të cilët ashtu si edhe lojtarët e Kombëtares A kanë përfunduar sezonin dhe janë grumbulluar nga trajneri Bushi për ndeshjen zyrtare me Turqinë dhe dy miqësoret që do të zhvillojnë në Shqipëri me Uellsin.