Boksieri shkodran Kristian Demaj është shumë i bindur në një tjetër sukses në karrierën e tij teksa në garat e kampionatit kombëtar që do të zhvillohet këtë fundjavë, ai do të tentojë të fitojë titullin e 9-të kampion personal. Përgatitjet tashmë kanë hyrë në fazën e fundit dhe boksieri 24 vjeçar tashmë ndjehet gati për ndeshjet përcaktuese që do t’i japin më pas edhe suksesin e rradhës.

Demaj duke folur për telesport.al do të shprehej: “Jam në formën e duhur dhe besoj se tashmë gjithçka është gati. Do të synoj titullin e 9-të kampion dhe jam i bindur se do t’ia arrij ngaqë mendoj se jam më i mirë se të tjerët”.Ky boksier në kampionatin e vitit të kaluar përveçse u shpall kampion në peshën e tij, në fund u nderua edhe me kupën e boksierit më të mirë. Por Demaj përveçse në aspektin personal, po e pret me shumë interes kampionatin e ri ngaqë dëshiron që bashkë me Vllazninë të fitojë titullin e 20-të kampion si ekip e për këtë shton: “Nuk e morëm vjet këtë titull jubilar por besoj se sivjet do të na takojë ne.Jemi përgatitur intensivisht për këtë sukses dhe mendoj që edhe bashkë me mbështetjen e tifozëve shkodranë, do të arrijmë të jemi sërish kampionë të vendit për t’i dhuruar Shkodrës një tjetër titull kampion, të 20-tin si asnjë sport tjetër. Ekipi ka zhvilluar një stërvitje shumë të fortë sivjet, me disa faza përgatitore dhe grumbullime dhe tashmë kërkon të marrë frutet e kësaj pune. Kristian Demaj do të konkurrojë në peshën 91 kg dhe konsiderohet një nga pikat më të forta të ekipit shkodran megjithatë për t’u shpallur kampion si ekip, nuk mjafton vetëm triumfi i këtij sportisti.
Gjergj KOLA