Demir Imerit i mjaftuan 37 sekonda për të hapur serinë e golave në ndeshjen Vllaznia-Skënderbeu 5-1. Fantazisti shqiptar nga Kërçova në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e shtuar e kuqebluve këtë sezon. Me paraqitjen që ka bërë deri më tani, 25-vjeçari po rezulton si një prej blerjeve më të goditura.

Përveç asisteve të shumta që ka dhënë në kampionat dhe ndeshjet e Kupës, Imeri është bërë protagonist në fitoren 0-3 në transfertë ndaj Kastriotit, ku shënoi golin e tretë të takimit, si dhe së fundmi kundër Skënderbeut.

“Jam i kënaqur që sërish arrita të shënoj, për më tepër ishte një gol që mendoj se na çliroi të gjithëve. Duke realizuar shumë shpejt, më pas arritëm që të administronim lojën dhe të merrnim atë që deshëm ndaj Skënderbeut. Matematikisht, jemi kampionë dimri dhe jemi të gëzuar, pasi kemi arritur një objektiv madhor. Mendoj se ishte diçka teje e bukur në këtë fundvit, por kjo është vetëm gjysma e rrugës”, ka thënë fillimisht mesfushori me tipare sulmuese në një bisedë për “Panorama Sport”.

Fantazisti i Vllaznisë nuk e ka për herë të parë që aktivizohet në kampionatin shqiptar. Në sezonin 2017-2018 ai luajti për Kamzën, ndërsa te shkodranët erdhi pas një eksperience të shkurtër në Ukrainë me Olimpia Donjeck. Në prag të ndeshjes me Tiranën, Imeri nuk ngurron të vërë në dukje faktin se ata që nuk besuan te kjo Vllazni, po marrin javë pas jave nga një mesazh të fortë.

“Tirana është një skuadër që duhet vlerësuar maksimalisht. Mundësitë tona për të arritur një fitore janë të mëdha. Ne do të kërkojmë më të mirën ndaj kësaj skuadre, përtej respektit që kemi për vlerat që ka.

Duket sikur të gjithë janë si në dyshim për të ardhmen tonë në kampionat, pasi po shikoj se javë pas jave ka pasur skepticizëm për rezultatet që mund të merrnim. Çdo herë thoshin: ‘Jemi në test, jemi në test’. Mirëpo, ne e kemi treguar çdo javë se e meritojmë plotësisht vendin e parë.

Besoj se kështu do të vazhdojmë”, është shprehur titullari i skuadrës shkodrane. Në këto 11 javë kampionat Imeri ka qenë një nga më të aktivizuarit prej trajnerit Tomas Brdariç. Ky i fundit e njeh mesfushorin që nga koha kur drejtonte Shkëndijën e Tetovës në Superligën maqedonase.