Trajneri i kombëtares shqiptare, Silvinjo, ka bërë sot publike listën me emrat që ka përzgjedhur për ndeshjen kualifikuese të Euro 2024 ndaj Polonisë më 27 mars. Një listë ku ka mungesa shumë të rëndësishme për shkak të dëmtimeve të lojtarëve kyç për Shqipërinë, por edhe të zgjedhjeve teknike që ka bërë trajneri.

Dëmtimet kanë ndikuar çdo repart, duke filluar nga mbrojtja ku mungon një emër shumë i rëndësishëm si Berat Gjimshiti, një veteran si Kastriot Dermaku apo edhe i riu Adrian Bajrami i cili po vuan një dëmtim të rëndë. Në mesfushë është Keidi Bare ai që do të ndjekë nga TV këtë sfidë për shkak të dëmtimit që ka dy muaj që e ka lënë jashtë fushave të lojës.

Ndërkohë, Armando Broja dhe Rei Manaj janë dy mungesat e mëdha në sulm për shkak problemesh fizike, me të dy lojtarët që e kanë mbyllur para kohe këtë sezon.

Edhe mungesat për zgjedhje teknike të trajnerit janë shumë të rëndësishme në çdo repart e deri diku të papritura. Mihaj e Hoxhallari në mbrojtje, Roshi, Çekiçi dhe Çokaj në mesfushe, apo edhe Balaj, Sadiku, Vrioni, Muçi, Skuka e Xhixha në sulm, janë të gjithë lojtarë të cilët shumë mirë mund të bëheshin pjesë e këtij grumbullimi, qoftë edhe për faktin që trajneri mund t’i shihte nga afër si punojnë. Por trajneri ka vendosur që për momentin, asnjë nga këto lojtarë të mos jetë pjesë e grumbullimit të parë të tij.