Donald Mëziu ka udhëhequr Korabin drejt një finaleje të play-off për të marrë pjesë në Kategorinë Superiore. Pas fitores ndaj Apolonisë, skuadrën e tij e pret dueli ndaj Egnatias për të vendosur nëse do të jetë apo jo pjesë e elitës në futbollin shqiptar. Një sukses të cilin ai ia ka kushtuar edhe trajnerit Artan Mërgjyshi, të larguar pak kohë më parë nga drejtimi i ekipit, siç tregoi në fjalët e tij për “RTSH Sport”, pas duelit.

“Është edhe meritë e profesor Mërgjyshit, se pothuajse kemi ndryshuar asgjë nga grupi, e kemi ndërtuar se bashku, kemi përdorur të njëjtat ide e filozofi. Por edhe e Kumbarços, i cili na ka dhënë një ndihmë shumë të madhe.

Patjetër e pritnim fitoren se vendi i tretë në renditje ishte me meritë dhe në bazë të ecurisë së kampionatit na takonte. Edhe si ndeshje e luajtëm mirë, kemi përgatitur gjithçka për sot.

Egnatia? Për ne çdo kundërshtar është i njëjtë, meriton vlerësim maksimal. Edhe ndaj Egnatias do të japim maksimumin.

E ardhmja? Unë këtë ekip e dua shumë. Si timonier e si jo timonier, do të jem pjesë e Korabit derisa të më jepet mundësia”, tha Mëziu.