Pavarësisht dëshirës së koplikasve për të bërë ndonjë surprizë ndaj kampionëve në fuqi të Skënderbeut, ata nuk ia kanë dalë.

Në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, të luajtur pasditen e sotme në Koplik, kanë qenë korçarët ata që kanë triumfuar.

Madje pa shumë vështirësi teksa në fund të takimit është sigluar rezultati 0-3 në favorin e tyre.

Ka qenë Gripshi ai që ka zhbllokuar rezultatin në minutën e 20-të dhe me këtë gol do të mbyllej pjesa e parë.

Në të dytën, pikërisht në minutën e 58-të do të ishte Ajzeraj që do të dyfishonte shifrat ndërsa nëntë minuta para fundit, Oto John do të shënonte edhe golin e tretë dhe të fundit të takimit.

Me këtë rezultat, Veleçikut i bie që të udhëtojë thjesht për turizëm pas dy javësh për në Korçë.

Objektivi i tyre është i përqendruar në kampionat ku padyshim që do ta ketë shumë të vështirë t’ia dalë në rrugën për të mbijetuar.