Kampionati i kategorisë së parë starton të dielën me ndeshjet e javës së parë dhe në fushë do të jenë edhe dy ekipet e zonës së Shkodrës, “Vllaznia B” dhe Ada.

Pikërisht për këtë arsye, ato të dyja paraditen e sotme kanë zhvilluar një test kontrolli me njëri- tjetrin në fushën sportive “Reshit Rusi”.

Në fund kanë triumfuar kuqeblutë e trajnerit Ervis Kraja me rezultatin 4-1. Dy prej golave për Vllazninë B kanë patur për autor futbollistin që sapo ka firmosur kontratë me klubin shkodran, 19 vjeçari Emrah Fikaj.

Të tjerët janë shënuar nga një tjetër futbollist i ardhur nga të rinjtë, Stafa ndërsa i fundit ka patur për autor sulmuesin Aron Dibra.

Ndërkohë, golin e vetëm për Adën e ka shënuar sulmuesi i njohur Galica. Vetë ky rezultat tregon më së miri se edhe pretendimet e ekipeve do të jenë të ndryshme në kampionatin e ri.

“Vllaznia B” do të synojë vendin e parë ndërkohë që Adës i duhen të tjerë lojtarë si përforcim në mënyrë që të kthehet edhe ajo në një ekip pretendent.
© shkodrasport.com