Java e 26-të e kampionatit do e gjejë Vllazninë në transfertën e Rrogozhinës përballë Egnatias. Shkodranët vijnë pas humbjes në klasike kundër Tiranës në shifrat 1-2, si edhe pas ndërrimit të trajnerit ku tashmë pas largimit të Brdariç, vendin e tij e ka marrë Elvis Plori.

Patjetër kjo sfidë paraqet vështirësit e saja duke parë edhe objektivin për mbijetesë që kanë rrogozhinasit. Por edhe Vllaznia kërkon të reagojë pas një periudhe me uljet dhe ngritjet e saj.

Por debutimi i Plorit në krye të pankinës kuqeblu e gjen shkodranin në vështirësi përsa i përket zgjedhjes së formacionit titullar. Kjo pasi disa emra të rëndësishëm dhe që kanë mbajtur barrën e ekipit nuk do jenë të gatshëm për ndeshjen kundër Egnatias.

Ante Aralica i cili shënoi edhe gol kundër Tiranës do mungojë për shkak kartonash. Po ashti dy futbollistë që munguan kundër bardhebluve si Gurishta dhe Jonuzi nuk do jenë pjesë e skuadrës për shkak të problemeve fizike.

Da Silva ka prej disa javësh që vuan një dëmtim dhe braziliani nuk pritet të kthehet as kundër rrogozhinasve. Probleme ka shfaqur edhe Liridon Latifin, me prishtinasin që është në dyshim për sfidën.

Një “dhimbje koke” për Plorin që duhet të bëjë pa disa emra shumë të rëndësishëm. Por patjetër ky do jetë shansi për tu shfrytëzuar për disa nga lojtarët e stolit apo të rinjtë që me siguri do jenë pjesë e formacionit. Kjo për të treguar vlerat e tyre si edhe për të ndihmuar skuadrën që të rikthehet tek suksesi.
Endri ÇINARI