Java e katërt e Kategorisë së Dytë për grupin A, e cila do të luhet ditën e sotme, ka rezervuar një derbi verior, siç është përballja Ada-Veleçiku. Ndeshja në fjalë do të luhet në fushën sportive Adriatik në Velipojë, duke filluar nga ora 14:00.

Kjo pritet të jetë një sfidë shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, të cilat në fakt luftojnë për objektiva të ndryshme. Ada, e drejtuar nga trajneri Altin Xhahysa, për momentin akoma nuk ka arritur të marrë asnjë fitore dhe ditën e sotme, do të kërkojë pikët e para. Ndërkohë që, Veleçiku kërkon të kapë kreun e renditjes për realizimin e objektivit të ngjitjes në Kategorinë e Parë.

Koplikasit, që drejtohen nga trajneri lezhjan Dritan Smajli, duket se janë në rrugën e duhur dhe deri më tani, paraqitjet e skuadrës kanë qenë pozitive. Këtë e vërtetojnë edhe dy fitoret në tre ndeshjet e luajtura deri më tani, teksa në një tjetër kanë arritur vetëm barazimin.
Këto ndeshje e kanë pozicionuar Veleçikun në vendin e tretë të tabelës së klasifikimit me shtatë pikë, dy më pak se sa vendi i parë, që e mban Naftëtari.

Nga ana tjetër, Ada e Velipojës në tre ndeshjet e para deri më tani, nuk ka arritur të marrë asnjë fitore, duke pësuar tre humbje, madje me rezultate të thella. Megjithatë, në vazhdim ekipi i trajnerit Altin Xhahysa pritet të bëjë kthesën drejt rezultateve pozitive.

Ndërkohë, e veçanta e ndeshjes së sotme pritet të jetë që trajneri i Adës, 48-vjeçari Xhahysa, ta nisë nga minuta e parë përballjen ndaj koplikasve në ndihmë të ekipit të tij. Ndeshja në fjalë ose ndryshe i ashtuquajtur derbi verior, Ada-Veleçiku do të luhet ditën e sotme në fushën sportive Adriatik në Velipojë, duke filluar nga ora 14:00.
Maringlen ZHIVANI