Pasditja e sotme do të dhurojë sfidën e dytë të kampionatit për Vllazninë, atë që do të luajë në transfertë ndaj Erzenit. Por në ndryshim nga sezoni i kaluar kur shijakasit “shtëpinë” e tyre e kanë patur në Durrës, sivjet kanë shtegtuar pak më larg, në Rrogozhinë.

Megjithatë kjo nuk ndryshon gjë për Vllazninë e cila duhet t’i bëjë planet për ta mundur këtë skuadër, pavarësisht fushës ku do të luhet ndeshja. Në sezonin e kaluar, gjërat nuk kanë shkuar mirë për kuqeblutë në përballjet me shijakasit në fushën e këtyre të fundit.

Në ndeshjen e parë vjet u patën mundur 1-0 dhe në atë të fazës së tretë u mundën 3-2 duke bërë që Erzeni ashtu si dhe Egnatia të kthehen në një makth të vërtetë për shkodranët.

Sivjet ata kanë vendosur që t’i marrin gjërat më seriozisht dhe po ashtu po i bëjnë një vlerësim më të madh çdo kundërshtari. Ashtu siç vlerësuan në javën e parë Kukësin, do ta bëjnë edhe sot ndaj Erzenit.

Për më tepër që kanë edhe një arsye më shumë këtë herë, për të thyer “tersin” e përballjeve me këtë kundërshtar dhe prandaj sot më shumë se kurrë duhet fitorja./SHKODRA-SPORT.COM/