Kategoria Superiore U19 ka zhvilluar ditën e sotme ndeshjet e rradhës, teksa Akademia e Futbollit ka mposhtur Vllazninë. Kështu, pas fitoreve të fundit, ekipi i Vllaznia U-19 u frenua sot me një humbje në transfertë, duke u mundur me rezultatin 3-0.

Akademia e Futbollit iu fal golit të Konomit me penallti në pjesën e parë, ndërsa në fraksionin e dytë, Shehu dhe Kalemi shënuan për akademinë kryeqytetase.

Në fakt, e gjendur në disavantazh të një goli në pjesën e parë, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Vioresin Sinani, bën të gjitha përpjekjet për të barazuar rezultatin në pjesën e dytë, por nuk ia arrin dot qëllimit, teksa duhet thënë se, Pjeshka ka humbur edhe një penallti në minutën e 66-të.

Ndërkohë që në minutat e fundit të ndeshjes, më konkretisht në minutën e 88-të, futbollisti i Vllaznisë, Zahi është ndëshkuar me karton të kuq.

Në ndeshjen e sotme, kuqeblutë luajtën me formacionin e tyre më të mirë, që kishin në dispozicion: Kaçaj, Mujaxhi, Qerpiku, Spahija, Kapllanaj, Ramja, Alivoda, Cungu, Maliqi, Pjeshka dhe Delaj, trajner Vioresin Sinani.

Duhet thënë se ndeshja e luajtur pasditën e sotme në Kamëz, ka “prezantuar” një Vllazni larg imazhit të saj të javëve të mëparshme.

Tashmë, kjo humbje e sotme në transfertë bën që Vllaznia të rrezikojë titullin e kampionit të Veriug, pasi Partizani ndodhet në vendin e parë, me katër pikë më shumë se sa shkodranët që renditen në vendin e tretë me 31 pikë, të cilët janë me një pikë më pak se Tirana e vendit të dytë.

Ndërkohë, me fitoren e rregjistruar sot, Akademia e Futbollit shkon në kuotën e 29 pikëve, në vendin e katërt në renditje, pas Vllaznisë.

Maringlen ZHIVANI