Edhe pse i ri në moshë, ka vite që trajnon ekipe të ndryshme moshash. E kemi fjalën për Donaldo Larin, njeriun që ka filluar të stërvisë fëmijë që kur ishte 16-vjeç. Një gjë të tillë e ka bërë prej pasionit të madh për futbollin dhe këtë gjë e vazhdon sërish.

Në dy vitet e fundit, Lari ka qenë pjesë e Basanias, ku në sezonin e parë me ekipin U-15 arriti rezultate shumë pozitive, duke e ngjitur atë në Superioren e kësaj grupmoshe. Ndërkohë, në sezonin e kaluar, iu besua ekipi U-17, me të cilin pati sërish një ecuri shumë të mirë, teksa shkoi deri në fazën play-off dhe ishte shumë pranë ngjitjes edhe në Superiore.

Megjithatë, fundi i sezonit të kaluar, duket se është shoqëruar edhe me mbylljen e bashkëpunimit me Basanian, por kjo nuk do të thotë se Lari ka qëndruar shumë kohë pa ekip. Burime të ndryshme bëjnë të ditur për “Shkodra Sport” se, drejtuesit e KF Murlani i kanë bërë një ofertë për të qenë zv/trajner i ekipit të tyre dhe përgjigjia e trajnerit ka qenë pozitive.

Tashmë, trajneri Vahedin Pepaj tek Murlani do të ketë ndihmës Donaldo Larin. Tek ekipi murlanas besojnë në aftësitë e këtyre dy trajnerëve, Pepaj-Lari, prandaj edhe i kanë bërë pjesë të tyre në sezonin e ri.
Maringlen ZHIVANI