Ditmar Bicaj drejt Azerbajxhanit. Mbrojtësi është shumë pranë akordit me klubin Zira.

Por kjo nuk është e vetmja ofertë, pasi ka edhe një opsion në Kroaci.

Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, mbrojtësi konfirmoi “divorcin” me vlonjatët, duke sqaruar se dëshiron ta vazhdojë karrierën jashtë vendit këtë sezon.

Lezhjani falënderon drejtuesit dhe tifozërinë për këtë aventurë.

“Pjesës më të madhe të lojtarëve u ka përfunduar kontrata me Flamurtarin, ashtu si edhe mua.

Personalisht kam kaluar një sezon mjaft pozitiv në Vlorë, duke u ndier mjaft mirë, por edhe i vlerësuar nga presidenti Idrizi i pari, për të kaluar te stafi dhe mbi të gjitha tifozët vlonjatë, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, pasi më kanë dhënë një mbështetje shumë të madhe në fushën e blertë, por dhe jashtë saj.

Momentalisht, jemi në periudhë pushimi, por kam dy oferta zyrtare, të cilat më kanë mbërritur këto ditë dhe me shumë mundësi këtë sezon do jem jashtë Shqipërisë.

Megjithatë, me drejtuesit e Flamurtarit do ulem të flas përsëri sepse kam edhe raporte shumë të mira personale.

Këtë javë mendoj ta zgjidh dhe të ardhmen e këtij sezoni, por dëshira është të jem pjesë e një lige të huaj këtë sezon. Ndërsa në Shqipëri e them me plot bindje që në Vlorë jam ndier shumë mirë”, tha Bicaj.

ECURIA – Mbrojtësi Ditmar Bicaj, duke folur për Flamurtarin e këtij sezoni, tha se situata erdhi deri këtu për shkak të gjykimit dhe se sot Flamurtari duhet të kishte 60 pikë me një arbitrim të drejtë.

“Ecuria e ekipit këtë sezon ishte mjaft e mirë deri në muajin shkurt. Ishim të renditur në vendin e dytë dhe të kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, duke eliminuar një kundërshtar mjaft të fortë siç ishte Partizani.