Flamurtari-Vllaznia, që u luajt ditën e hënë, për turin e parë të Kupës së Shqipërisë, ishte një sfidë nga ku skuadra vlonjate mori maksimumin e saj. Megjithatë, për ekipin vlonjat ndeshja e kthimit në Shkodër, nuk do të jetë kaq e thjeshtë.

Në këtë mendim është edhe mbrojtësi i Flamurtarit, Ditmar Bicaj, që e ndoqi këtë ndeshje nga tribuna e stadiumit. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ish-mbrojtësi i Vllaznisë, shprehet se vlonjatët kanë objektiva madhore dhe se do të luftojnë fort për të kaluar në raundin tjetër të Kupës, por pranoi se do të jetë një ndeshje e komplikuar dhe e luftuar deri në minutat e fundit.

Poashtu, i pyetur rreth ecurisë së Vllaznisë, Bicaj shprehet se ekipi shkodran ka pasur shumë oshilacione në këto pesë javët e para të Abissnet Superiore, por në bisedën me të kuptohet që ai shpreson që kuqeblutë të rikthehen sa më parë në nivelet sa më të larta të futbollit shqiptar, pasi mbetet një nga ekipet e zemrës së tij.

“Flamurtari-Vllaznia në këndvështrimin e Bicaj? Vllaznia e filloi shumë mirë ndeshjen, ku deri në minutën e 20-të, kontrolloi çdo gjë në fushë, ku edhe kaloi në avantazh, pastaj pas golit të barazimit, ishte Flamurtari ai që ishte agresiv dhe realizoi edhe golin e dytë.

Surprizë fitorja e Flamurtarit ndaj Vllaznisë? Surprizë nuk do të thoja, pasi edhe vjet edhe pse ishim në Kategorinë e Dytë, ekipi në dy përballjet e Kupës, ishte shumë dinjitoz dhe me pak fat, mund ta çonim ndeshjen në shtesë pas golit të anulluar me VAR në “Loro Boriçi”. Megjithatë, këtë sezon edhe me afrimet e bëra, kemi objektiva madhore, si Superioren dhe finalen e Kupës së Shqipërisë.

Ndeshja e kthimit dhe objektivi i Flamurtarit? Ndeshja me Vllazninë në Shkodër do të jetë e vështirë besoj, por do luftojmë që të kalojmë në raundin tjetër. Objektivin e thashë edhe më lart, kalimi në raundin tjetër.

Ecuria e Vllaznisë në pesë javët e kampionatit? Vllazninë e kam ndjekur. Realisht, ka pasur shumë oshilacione. Në ndeshjen e fundit me Kastriotin, pavarësisht rezultatit 1-0, mendoj që ishte një ndeshje jo shumë e mirë, sepse pati shumë oshilacione pas golit të shënuar të Hoxhajt dhe ndeshja mund të shkonte edhe barazim”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, mbrojtësi i Flamurtarit, Ditmar Bicaj.
Maringlen ZHIVANI