Xhevahir Kapllani, trajneri i Erzenit, ka komentuar barazimin 1-1 ndaj Teutës në Kupë, ku protagonist ishte djali i tij, Dejvid, i cili shënoi golin e avantazhit por edhe autogolin e barazimit.

“Teuta është historia, është gjithçka, por jemi profesionistë dhe jemi ku jemi.

Me çfarë dhanë djemtë në fushë, edhe pse bëmë një rotacion thuajse 50% e lojtarëve i lamë pak pushim se kanë pasur shumë minuta në këmbë. Me çfarë u pa, mendoj se meritonim diçka më tepër se barazimi.

Futbolli kështu është, lojë episodesh. Unë jam natyrë e fortë, nuk emocionohem kollaj, fatmirësisht djali debutoi mirë. Por unë e llogarit njëlloj si 22 lojtarët e tjerë, është në fushë për të luftuar si pjesa tjetër e skuadrës.

Është hera e dytë se kam qenë edhe herë tjetër trajner i tij, por normal që puna është më e vështirë se gjithmonë do flasësh, do sygjerosh, do e kritikosh të bëjë gjëra më të mira që të përmirësohet ditë për ditë. Shpresojmë të na ecë mbarë të dyve.

Shpërblimi është normal për golin, çfarë do të bëjmë për shpërblimin është çfarë do të bëjmë në fund të majit, nëse do të arrijmë ato lloj objektivash.

Duke parë kalendarin e ngjeshur, shumë ndeshje, çdo 3 4 ditë, i lamë pushim disa lojtarë. Të gjitha bateritë tona do të jenë te kampionati, të fokusuar aty duke filluar që nga kjo javë.

Në përgjithësi jam i kënaqur nga pjesa dërrmuese e lojtarëve, duke futur të gjithë ata që aktivizova. Ekipi kishte dëshirë, grintë dhe entuziazëm, mendojmë të vazhdojmë kështu deri në fund”, tha Xhevahir Kapllani duke folur për “Oversport”.