Java e 5-të e kampionatit e vë Dinamon përballë Besëlidhjes. Ndeshja luhet të dielën në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe blutë synojnë rikthimin e shpejtë te fitorja, pas barazimit në Berat me Tomorin.

Gjatë javës stafi teknik ka pasur sërish probleme me lojtarët e dëmtuar dhe mungesat do të jenë disa edhe këtë fundjavë. Mund të rikthehen mbrojtësi Aurel Marku dhe ndoshta mesfushori Erisildo Smaçi, ndërsa për Eni Imamin duket se është vendosur që të mos nxitohet nga stafi blu.

Patrik Bardhi dhe Indrit Prodani mbeten jashtë sërish. Ndërkohë, përballja me Besëlidhjen ka një gjë të veçantë. Dy çifte vëllezërish do të jenë kundër njëri-tjetrit, Danajt dhe Jakët, por vetëm ata me fanella blu do të jenë në fushë, pasi Ruben Danaj dhe Kristjan Jaku mungojnë këtë takim, por gjithsesi kjo sfidë do të mbetet speciale për këta lojtarë.

Ndërsa përpara takimit trajneri Nevil Dede ka theksuar në një intervistë për ‘Panorama Sport’ se Dinamo synon të jetë serioze ndaj Besëlidhjes, mbi të gjitha në mentalitet. Ai e njeh kundërshtarin dhe e respekton, por pret vetëm fitoren nga skuadra që drejton.

Profesor, si është gjendja e skuadrës në prag të ndeshjes me Besëlidhjen?

Gjendja është e mirë. Kemi punuar mirë dhe shpresojmë që të rikuperojmë ndonjë nga lojtarët e dëmtuar për këtë ndeshje. Ndoshta mund të jetë gati Aurel Marku, të tjerët ende jo plotësisht, u duhet edhe pak kohë dhe ne nuk duam të nxitohemi me ta. Megjithatë, jemi në gjendjen e duhur për ta përballuar këtë ndeshje. Siç e kam theksuar gjithmonë, Dinamo do të jetë serioze në çdo ndeshje. Mbi të gjitha në mentalitet.

Sa e njihni kundërshtarin, e keni parë në ndonjë ndeshje?

Besëlidhjen, që të jem i sinqertë, e njoh mirë. Ka ruajtur grupin e lojtarëve të vjetshëm dhe është përforcuar me disa lojtarë të tjerë. Është një skuadër që luan futboll mirë dhe ne duhet ta vlerësojmë për forcën që ka. Duhet të respektojmë Besëlidhjen dhe çdo kundërshtar tjetër në kampionat. Dihet që ndaj Dinamos të gjithë japin maksimumin dhe duhet të jemi të përgatitur e të përqendruar.

Çfarë prisni më shumë nga skuadra në raport me ndeshjet e deritanishme të kampionatit?

Kemi bërë mirë deri tani, për hir të së vërtetës, nuk është se kemi bërë keq. Por kuptohet që e mira nuk ka fund dhe ne do të kërkojmë gjithmonë më shumë nga skuadra.

Së pari, nuk dua që të pësojmë gol, siç na ndodhi ndaj Tomorit në ndeshjen e fundit, edhe pse ishte edhe fat i keq, pasi pati një devijim topi në atë rast. Në atë ndeshje pati pak lojë efektive, por ne, me rastet që krijuam, duhej të kishim fituar. Shpërdoruam shumë raste në Berat. Presim që skuadra të japë maksimumin ndaj Besëlidhjes, qëllimi dhe objektivi ynë mbeten të njëjtë: të fitojmë çdo ndeshje.