Paraditën e sotme, ekipi i Vllaznia U-14 i është rikthyer sërish humbjeve në kampionat, pas barazimit në javën e kaluar në Kamëz. Kështu, në kuadrin e javës së tretë të kampionatit, ekipi shkodran është mundur me rezultatin e thellë 2-5 nga Apolonia, në ndeshjen e luajtur në “Reshit Rusi”.

Fillimisht, kanë qenë miqtë që kanë shënuar shumë shpejt dy gola, në minutat 8’ dhe 24’, duke bërë që futbollistët kuqeblu të vendosen në vështirësi disi. Ata janë munduar të reagojnë, teksa kanë arritur të ngushtojnë shifrat në minutën e 30-të, me anë të Dautovit. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-2 për Apoloninë.

Në pjesën e dytë, fierakët do të shënonin edhe tre gola të tjerë njëri pas tjetrit, duke i dërguar shifrat në 1-5. Në vazhdim, Vllaznia U-14 e ka patur të vështirë ndaj miqve, por do të kishte vend edhe për një gol tjetër në minutën e 60-të, me anë të një 11-metërshi të shndërruar në gol nga Bega.

Përfundimisht, 2-5 për Apoloninë që merr një fitore të thellë në Shkodër. Ndërkohë, Vllaznia U-14 ka mbetur në kuotën e vetëm një pike dhe ndodhet e pozicionuar në vendin e parafundit të renditjes. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia U14-Apolonia 2-5

Golat për Vllazninë: Dautovi 30’, Bega (pen) 60’

Formacioni i Vllaznia U-14: Jeraj, Ramaj, Kraja, Bega, Selimi, Hoxha, Kavaja, Dukaj, Dautovi, E. Lulaj, Ramçaj (u aktivizuan: Thana, Preka, Lisaj, Teoshani) Tr: Arben Parmeza