Vllaznia U-15 ka marrë një fitore të rëndësishme në ndeshjen e javës së tretë të kampionatit. Mesditën e sotme, ajo ka fituar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj ekipit të Apolonisë. Ndeshja është luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”, me Vllazninë që ka luajtur më mirë dhe e ka merituar fitoren.

Dy gola janë shënuar në pjesën e parë nga Eugen Hebovija dhe Imran Fusha, ndërsa në të dytën ka qenë sërish Fusha ai që ka shënuar edhe golin e tretë për Vllazninë U-15 dhe ka plotësuar kështu dopietën e tij personale. Deri në fund, ndeshja nuk ka më histori dhe ekipi kuqeblu, i drejtuar nga trajneri Fatjon Hasani, e ka fituar lehtë këtë përballje, duke e mbyllur në këtë mënyrë krejt ndeshjen me shifrat 3-0.

Për këtë fitore, kanë kontribuar futbollistët e formacionit të parë, duke nisur pikërisht nga portieri Mehmeti, për të vazhduar më pas me lojtarët e tjerë, siç janë Hebovija, Geci, Valikaj, I. Fusha, F. Fusha, Prendi, Hoxha, Shurbani, Kthupi dhe Seferaj, por janë aktivizuar edhe portieri tjetër Ndoj, Moleci, Jubani, Bushati dhe Zhuri.

Kështu, pas kësaj fitoreje, Vllaznia U-15 renditet në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit me gjashtë pikë, teksa deri më tani janë luajtur vetëm tre javë. /Maringlen ZHIVANI/

Vllaznia U15-Apolonia 3-0

Golat: Hebovija 14’, I. Fusha 17’, 69’

Formacioni i Vllaznia U-15: Mehmeti, Hebovija, Geci, Valikaj, I. Fusha, F. Fusha, Prendi, Hoxha, Shurbani, Kthupi, Seferaj (u aktivizuan: Ndoj, Moleci, Jubani, Bushati, Zhuri) Tr: Fatjon Hasani