Liridon Latifi nuk pritet të luajë as të shtunën ndaj Tiranës. Megjithatë, e rëndësishme për sulmuesin e krahut është se riaftësimi i tij pas dëmtimit, që pësoi më 28 gusht në ndeshjen Vllaznia-Kukësi, ka shkuar mirë.

Latifi gradualisht po merr ngarkesë, duke u futur edhe në stërvitje me grupin. Mirëpo, duke qenë se forma e tij fizike nuk është ende më e mira, nuk pritet që të rrezikohet as në këtë ndeshje.

Gjithsesi, trajneri Josa pritet ta ketë 100% gati Latifin për finalen e Superkupës, Tirana-Vllaznia, e cila është parashikuar të luhet më 7 dhjetor në stadiumin “Air Albania” në kryeqytet.

Pauza e kampionatit prej Botërorit do t’i shërbejë shumë kosovarit për të rritur gjendjen fizike, teksa ka mbi dy muaj që nuk luan.