Dritan Shakohaxha është i vetmi deri më tani që ka shpallur kandidaturën e tij për të garuar si president i FSHF-së. Gazetari sportiv do të garojë kundër Armando Dukës në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në muajin shkurt. I ftuar në emisionin e Baton Haxhiut në “ABC”,

Shakoxha ka zbuluar dy premtimet e tij nëse do të zgjidhet si president i institucionit më të lartë të futbollit në Shqipëri.

“Qëllimi kryesor në këndvështrimin tim është që ne të krijojmë kushtet maksimale që ky pasioni që mesa shikoj unë po shkon drejt shuarjes, pasioni për futbollin. Duhet ta rindezim. Ky pasion po shkon drejt shuarjes, jo se nuk e duan shqiptarët futbolli, por për ta ushtruar atë është një sakrificë shumë e madhe.

Ne nuk kemi vend ku këta njerëz të mbajnë ndezur këtë pasion ku të stërviten fëmijët e vegjël. Sa më shumë para duhet të harxhojmë për të ndërtuar komplekse sportive, aq më shumë do ketë sukses sporti shqiptar. Duhet të nxjerrim futbollistë, por qëllimi është të krijojmë kushtet për fëmijët që të mos rrinë rrugëve por të luajnë sport të krijojnë frymën e grupit.”

Synimi kryesor? “Kemi shkarkuar aplikacionin e kurseve të UEFA-s, dhe mjafton me kaq. Kush është futur e ka marrë licencën. E kanë të gjithë diplomën. Nuk ka ngelur kush pa e marrë. Ne barazohemi me Gjermaninë për numrin e licencave, por askush nuk harxhon asnjë euro që këto trajnerë t’i shkollojmë edhe jashtë.

Të investojmë dhe të vijë dita që të kemi dhe ne një trajner të tillë. Shqipëria dhe Kosova ka vetëm një opsion për një trajner shqiptar. Është vetëm Besnik Hasi. Të gjithë rrotullohemi por edhe ai u bë në Belgjikë”.

Trajneri për Kombëtaren? “Nuk do e bëjë kurrë një kroat apo brazilian se do pyesi pas një jave sa doli loja. Ndaj mendoj që Shqipëria e Kosova duhet të bëjnë një që nuk po e bëjnë. Kosova po bën të njëjtin version si Shqipëria që unë e shikoj të gabuar pasi duan vetëm trajner të huaj.

Nuk duhen gjëra strikte sepse nuk duhet thënë që duhet të marrim vetëm trajner të huaj, por nuk duhet thënë gjithashtu që nuk duhet të marrim kurrë një trajner të huaj”, u shpreh Shakohoxha./newsport/