Skuadra e Vllaznisë është duke u stërvitur në Ulqin për t’u bërë gati për ndeshjet e gjysmës së dytë të kampionatit. Deri më tani kanë firmosur dy futbollistë të ardhur nga merkatoja, Sukaj e Berisha dhe kuqeblutë duken më të plotë. Pikërisht për merkaton ka folur për “Shkodra Sport” edhe ish- futbollisti i kësaj skuadre Edmond Doçi që shprehet: “Për Sukajn e di se ka me e justifiku veten në sulm kurse për këtë shqiptaro- maqedonasin nuk di se çfarë të them sepse nuk e njoh.

Por blerjet janë aty ku duhet dhe ku ka pasë më shumë nevojë ekipi. Shpresoj që edhe mbrojtësi të jetë në formen e duhur sepse për nivel si lojtar duket që ka, ngaqë ka luajtur me ekipe të mira gjatë karrierës së tij”. Nga ana tjetër, kuptohet që pyetja tjetër është nëse e mendon Vllazninë disi më ndryshe në gjysmën e dytë të kampionatit? Dhe përgjigja e Doçit është e tillë: “Gjithmonë para nisjes së kampionatit kemi thënë se do të jetë ndryshe. Kjo ngaqë gjithmonë është pretenduar se kemi blerë lojtarë dhe kemi bërë një ekip konkurrent por koha ka treguar të kundërtën. Prandaj unë shpresoj se nisja e kësaj faze ka për të qenë e mirë dhe t’i marrin ndeshjet me rradhë. Ekipi ka nevojë me kriju personalitetin e vet dhe me i ba kundërshtarët me i pasë frikë. Vetëm atëherë mendoj se kanë me arritë edhe rezultatet e duhura”.
© shkodrasport.com