Nga Endri ÇINARI

Volejbolli i femrave tek Vllaznia ka qenë një temë e “nxehtë” në Shkodër para disa ditësh. Ku nga shumë kush u diskutua se ekipi nuk do merrte pjesë në gjysmën e dytë të sezonit. Por iniciativa e tifozëve shkodranë dhe pastaj edhe mbështetja e bashkisë Shkodër, bëri që këtij ekipi ti krijoheshin kushtet për vijimin e kampionatit.

Për këtë ka folur edhe zv.trajneri i këtij ekipi, Ardian Dodani. Në rubrikën e RTSH Shkodra, ai ka treguar për vështirësitë që u hasën, por edhe objektivat ambiciozë që ka tashmë skuadra.

Dodani tha: “Kaluam një moment shumë të vështirë në këtë fillim viti. Kontrata me shoqatën sportive kishte përfunduar dhe ekipi mbeti totalisht pa mbështetje. Në një moment u rrezikua pjesëmarrja në kampionat, që do ishte fatkeqësi për një emër si Vllaznia dhe qytet si Shkodra.

Ky lajm u duk sikur i trondit gjithë qytetarët shkodranë, ku veçanërisht një grup “Vllaznia Diasporë”, që gjej rastin ti falenderoj. Ata djemë ishin iniciatorët që ne ta vijonim sezonin. Ku nga komunikimet që kanë pasur me trajneren, Nora Deda, i kanë ofruar mbështetjen e tyre dhe kjo është diçka unike. Një gjë e tillë vuri në lëvizje edhe bashkinë Shkodër.

Ku mbështetja tashmë është shumë e madhe ndaj ekipit dhe për këtë i falenderoj. Tashmë kemi një ekip që besoj se do konkurrojë denjësisht në kampionat. Kjo edhe nga afrimi i 3 lojtareve shumë cilësore së fundmi. Ku objektivi për Vllazninë është kapja e zonës play off, pse jo edhe finalja e kampionatit.

Ndeshja e rradhës? Do jetë kundër Skënderbeut ditën e hënë. Një prej ekipeve kryesore prej 3-4 sezonesh dhe pretendent edhe këtë edicion. Do doja të ftoja tifozët shkodranë që të jenë në pallatin e sportit, për të mbështetur vajzat e Vllaznisë në një ndeshje kaq të fortë”.