Kristiano Ronaldos do t’i plotësohet dëshira që ka, për t’u kthyer përsëri në një nga lojtarët më të paguar në botë, renditje në të cilën kishte humbur terren gjatë muajve të fundit.

Sipas të përditshmes spanjolle “ABC”, burime pranë klubit kanë bërë të ditur se Florentino Perez ka kuptuar se nuk mund të gjejë një yll të kalibrit të portugezit për ta zëvendësuar në verë pa bërë ndonjë shpenzim të çmendur në merkato, ndaj ka vendosur që të mbajë lojtarin duke i përmirësuar kushtet financiare.

Futbollisti aktualisht përfiton 21 milionë euro në vit, por klubi është dakord që ai të përfitojë 30 milionë euro në sezon nga kontrata e re, po aq sa përfiton edhe Nejmar te PSG.

Në këtë mënyrë, Ronaldo do të ishte shumë më i qetë për të vazhduar punën e tij, pa kërcënuar më me largim drejt skuadrave të cilat janë të gatshme t’ia garantojnë një rrogë të tillë.

Duket se palët kanë komunikuar në javët e fundit dhe se Ronaldo ka shprehur gatishmërinë e tij që të vazhdojë të jetë pjesë e madrilenëve me këto kushte të reja financiare, të cilat do të firmosen dhe zyrtarizohen në fund të sezonit, pasi për momentin të gjitha palët janë të përqendruar te fusha e lojës. /vipsport/