Arsenali ka fituar në mënyrë dramatike Superkupën e Anglisë, duke mposhtur falë penalltive Mançester Sitin e Pep Guardiolës.

Edhe pse me emra si Haland e Grilish ende jashtë formës, kampionët në fuqi krijuan rastet më të pastra për të shënuar para portës kundërshtare, teksa Ramsdejl u mohoi golin. Ndërsa nga ana tjetër, ishte Havertz i cili konfirmoi edhe një herë se nuk është një golashënues zone, pasi shpërdoroi dy mundësi të mira për të tundur rrjetën.

Ashtu siç ndodh shpesh, Guardiola gjeti zëvendësimin e duhur duke aktivizuar 21-vjçarin Palmer në vend të Haland dhe ishte pikërisht sulmuesi ai i cili shënoi golin e avantazhit 1-0 me një gjuajtje spektakolare, vetëm pak minuta para fundit të sfidës.

Dukej se ndeshja kishte marrë fund, pasi Arsenali nuk po krijonte më raste. Por në minutën e 101-të, erdhi gjuajtja e Trosard e cila u devijua në rrjetën e “qytetarëve” nga Akanzhi. Kështu, për të përcaktuar fituesin u deshën gjuajtjet e penalltive.

“Topçinjtë” ishin të pagabueshëm nga pika e bardhë, teksa De Bryjn dhe Rodri nga ana tjetër gabuan tentativat e tyre, duke i dhuruar londinezëve trofeun e 17 në histori.

MANÇESTER SITI-ARSENAL 1-1
77′ Palmer / 90’+11′ (ag) Akanzhi