Rritja e tarifave për futbollistët e akademisë Vllaznia ka ngjallur pakënaqësi në Shkodër. Mosha 9 deri 12 vjeç nga 35 mijë lekë të vjetër në muaj, tashmë do të paguajë 50 mijë lekë të vjetër.

Grup-mosha 13- 15 vjeç nga 35 mijë shkon në 60 mijë lekë, ndërsa lojtarët e rinj që janë pjesë e ekipeve U-17 dhe U-19 do të paguajnë nga 70 mijë lekë të vjetër, ndërsa deri një sezon më parë jepnin 50 mijë. Këto ndryshime i sqaroi për faqen e klubit shkodran drejtori i ri i akademisë, Arben Maliqi.

“Vendimi për tarifat është marrë në bashkëpunim me gjithë strukturën drejtuese të KF Vllaznisë, me qëllimin e vetëm për rritjen e eficiencës së akademisë ndërmjet vetëfinancimit, si dhe optimizimin e shërbimeve që u ofrohen të rinjve në një pagesë mujore të vetme, duke mos pasur asnjë kosto shtesë tjetër.

Kemi vendosur që familjet e fëmijëve që trajtohen me ndihmë ekonomike t’i kenë pa pagesë dhe po ashtu edhe për fëmijët e talentuar do të hiqet pagesa”, sqaroi Maliqi.