Ka qenë në krye të dy ekipeve të Akademisë Vllaznia që morën pjesë në turneun “Episkiros” të zhvilluar këtë fundjavë në Selanik të Greqisë dhe padyshim që në fund ka gëzuar bashkë me to për paraqitjet e shkëlqyera që kanë bërë.

Alban Neziri, drejtori teknik i Akademisë Vllaznia ndjehet i lumtur për këtë sukses dhe në një prononcim për “Shkodra Sport” nga Greqia shprehet: “Kënaqësi jashtëzakonisht e madhe një paraqitje e tillë e ekipeve tona në këtë turne ku morën pjesë ekipe të Akademive me shumë emër në arenën ndërkombëtare.

Dalja në finale me të dy ekipet tregon më së miri çfarë dhanë ekipet tona. Edhe me ekipin U14 bëmë një paraqitje të shkëlqyer dhe vetëm fati na ndëshkoi në gjuajtjen e 11-metërshave. Të mos harrojmë se ky ekip ka patur 4 mungesa të rëndësishme në formacion sepse për arsye të ndryshme lojtarët nuk erdhën me ne në Greqi.

Për t’u ndalur tek suksesi i ekipit U12 që mundi në finale CSKA e Moskës duke merituar kupën e vendit të parë e po ashtu edhe futbollisti ynë Nebi Qokthi u shpall sportisti më i mirë i turneut. Unë dua të bëj një falenderim për dy trajnerët e këtyre ekipeve, Altin Xhahysa dhe Denis Zmijani, për punën, përkushtimin dhe lojën e bukur që zhvilluan.

Pjesmarrja në një turne të tillë ishte e domosdoshme për të parë veten se ku jemi në krahasim me të tjerët e arenës ndërkombëtare. Treguam se jemi të barabartë, për të mos thënë se jemi shumë më lart se to.

Unë dua të bëj një falenderim të veçantë për shumë emigrantë shqiptarë që na përkrahën për tre ditë me rradhë në të gjitha ndeshjet që zhvilluam. Dita e sotme kompletohet me një tjetër sukses, atë të ekipit U19 që u shpall “kampion i Veriut”, duke marrë kësisoj të gjithë trofetë e mundshëm tash 3 vjet”
© shkodrasport.com