Fakti që tek Vllaznia do të ketë një analizë të hollësishme të sezonit që sapo përfundoi por edhe për atë se çfarë do të bëhet në të ardhmen, nga shumëkush është konsideruar si një “gjyq” për të nxjerrë fajtorët e situatës që e çuan Vllazninë deri në javën e fundit në pikëpyetje për të qëndruar apo jo në Superligë kur duhej të ishte krejt ndryshe. Por ndërkohë, drejtori sportiv i klubit Eugent Zeka, duke folur në lidhje me këtë analizë ka thënë:

“S’do ketë “gjyq” siç mund të jetë krijuar ideja. Do jetë një analizë e zakonshme pune që bëhet në çdo klub të botës në fund të një sezoni. Kështu do të ndodhë edhe tek ne.Natyrisht që pikëpari do të analizohet sezoni që lamë pas, për të evidentuar gjërat e mira dhe të këqija që kemi konstatuar dhe pikësynimi padyshim që do të jetë përmirësimi i tyre në të ardhmen. Kjo do të jetë analiza që do të zhvillojmë dhe nuk besoj se duhen diskutuar gjëra të tjera se gjoja Vllaznia është “peng” i një analize apo i dikujt. Vllaznia nuk është “peng” i askujt. Ne kemi filluar një ditë pas përfundimit të kampionatit punën për sezonin e ri dhe padyshim që jemi të vendosur për t’i bërë gjërat më mirë në të ardhmen”. Nisur nga fjalët e drejtorit, duket se analiza e pritshme e kuqebluve “nuk do të prodhojë lajm”. Por në fakt lajmi është brenda sepse në këtë analizë do të hidhen piketat për sezonin e ri dhe sytë e të gjithë tifozëve shkodranë janë fokusuar pikërisht aty.

www.shkodrasport.com