Kristal Abazaj nuk ka vonuar shumë që të shënojë golin e tij të parë me fanellën e Istambulspor në kampionatin turk.

Futbollisti i cili u transferua në Turqi vetëm në fillimin e këtij muaji, ka mundur të tregojë shumë shpejt vlerat e tij dhe që në duelin e parë si titullar, ka tundur rrjetën e portës kundërshtare.

Në ndeshjen kundër Bandirmaspor, Abazaj ishte i rreshtuar në krahun e majtë të mesfushës dhe me driblimet e tij ka vënë në vështirësi vazhdimisht mbrojtjen kundërshtare derisa erdhi minuta e 16 e sfidës.

Pas një aksioni të nisur nga Rroca, topi mbërriti te Abazaj i cili dribloi një kundërshtar duke gjetur hapësirën dhe gjuajtur në portë me të majtën.

Për portierin kundërshtar, goditja e tij ishte tepër e fortë dhe sfera i shpëtoi nga duart, duke kaluar vijën fatale e duke i dhuruar Abazajt kënaqësinë e golit të pare në kategorinë e dytë turke, ku Istanbulspor shihet si një nga pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në elitë në fund të këtij sezoni. /vipsport/