Sulmuesi Edmond Hoxha i është bashkuar Besëlidhjes dje pasdite. Ai kishte kohë që mungonte dhe vetëm dje është kthyer në Lezhë për t’u vënën nën urdhrat e trajnerit Sinan Bardhi.

Nuk është e qartë arsyeja e mungesës së futbollistit kavajas, sepse asnjëra nga palët nuk ka dhënë shpjegime, por tashmë gjithçka ka marrë zgjidhje dhe ai është sërish në ekip.

Kujtojmë që Hoxha ishte shënuesi më i mirë i Besëlidhjes gjatë kampionatit të fundit dhe me kthimin e tij kompletohet sulmi.

Të mërkurën lezhjanët luajtën një ndeshje miqësore me Kastriotin në Kamzë, ku barazuan 1-1 dhe golin e shënoi mesfushori 23-vjeçar Florian Përgjoni, i cili për “Panorama Sport” shprehet: “Për mua Besëlidhja është gjithçka, pasi jam lezhjan. Objektivi ynë dihet, luftojmë për t’u kthyer në elitë.

Duke parë ecurinë e skuadrës në stërvitje, ku trendi është pozitiv, jemi optimistë. Lufta në Kategorinë e Parë është e ashpër, ndaj duhet shumë punë deri në fund. Në shumicën e miqësoreve jemi paraqitur mirë, sidomos ndaj skuadrave të Superiores.

Pjesa ‘e vjetër’ e skuadrës me të ardhurit rishtas po funksionon dhe kjo është pozitive. Kam shumë besim te stafi drejtues dhe ai teknik”.