Ashtu si edhe në vitet e kaluara, në Kategorinë Superiore pretendimet për vendimet e arbitrave nga klubet janë të shumta. Në këtë sezon ka pasur jo pak gabime nga ato vendimtaret që kanë vendosur fatet e ndeshjes. Mirëpo, tashmë për të minimizuar këto raste po mendohet seriozisht që në sezonin pasardhës në Kategorinë Superiore të aplikohet sistemi VAR, ashtu si në kampionatet elitare të Europës.

Kështu, FSHF ka ngritur një grup pune dhe kanë nisur seminaret takimet me IFAB dhe FIFA. Për këtë është shprehur edhe presidenti Duka i cili shpreson që sistemi VAR të jetë i pranishëm në Superiore dhe të mbulojë të gjitha ndeshjet e saj dhe jo vetëm disa prej tyre.

“Jemi në këtë takim për sistemin VAR, pavarësisht se ka mendime të ndryshme, ky është një vendim tashmë, një vendim për tu respektuar dhe për tu zhvilluar. Si të gjithë vendet europiane dhe përtej që e kanë implementuar ne kemi vendosur ta fillojmë këtë proces. Me përkrahjen tuaj unë uroj që të bëjmë një sistem sa më të mirë, është diçka e ndërlikuar. Unë nuk mendoj se VAR-i do të drejtojë lojën, do të jenë përsëri arbitrat, dhe kjo është shumë e rëndësishme që arbitri ta kuptoj që arbitri mbetet ai që vendos.

Teknologjia dhe sistemi VAR janë për ta ndihmuar arbitrin në vendimmarrjen e tij, por jo për të vendos në fushë. Në fushën e lojës vendos vetëm arbitri. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, e kam fjalën për pjesën tonë, në mënyrë që pas implementimit të sistemit të mos bëjmë gabime trashanike që edhe ndodhin kur ti nuk e përdor mirë atë informacion që të jep teknologjia. Përgatitja e kapaciteteve njerëzore është më e rëndësishme sesa dy-tre kamera apo dy-tre pajisje që vendosin vizat për pozicionin jashtë loje.

Objektivi jonë është që ta fillojmë në sezonin 2021-2022. Unë mendoj se duhet ta fillojmë me një kategori, dhe besoj se do të fillojmë me Kategorinë Superiore. Brenda një kampionati të jem me dy standarte do të jetë e vështirë, nëse e implementojnë në disa ndeshje, kështu që unë mendoj se duhet të arrijmë ta fillojmë me të gjithë kampionatin e Kategorisë Superiore në edicionin 2021-2022”, u shpreh Duka. /VipSport/