Mario Mitaj është një nga ato futbollistë të rinj shqiptarë të cilët duket se e kanë të ardhmen e sigurt. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare U17 ka arritur të bindë skautët e futbollit nga vende të ndryshme në Europës dhe tani duket se do të ketë luksin të zgjedhe se në akademinë e cilit klub të njohur do të vazhdojë karrierën e tij.

Kapiteni i kuqezinjve ka shkëlqyer me fanellën e AEK me skuadrat e moshave, por paraqitjet e tij me Shqipërinë U17 kanë bërë që shumë skautë klubesh të njohur të fillojnë të interesohen konkretisht për lojtarin me origjinë nga Vermoshi. Disa javë më parë, klubi i Fejenord në Holandë ftoi Mitajn për një provë në ambientet e tij, duke shpresuar që t’i mbushë mendjen 16-vjeçarit që t’i bashkohet akademisë së këtij klubi.

Por gjigandët holandezë nuk janë të vetmit, pasi në ndjekje të mesfushorit është vënë edhe klubi i Benfikës. Ky i fundit ka dërguar gjithashtu një ftesë në klubin grek, duke kërkuar që lojtari të bëjë një vizitë prove edhe në Portugali.

Kështu, pas përfundimit të provës në Holandë, Mitaj pritet të udhëtojë drejt Portugalisë për të bërë këtë testim tjetër në një nga klubet më të njohur të Europës që ka një akademi shumë cilësore nga e cila kanë dalë së fundmi emra si Tavaresh, Gedson Fernandes, Zhota apo Zhoao Feliks. /vipsport/