Trajneri i mirënjohur, Shpëtim Duro, aktualisht në krye të Laçit, është shfaqur shumë kritik me Kombëtaren e Shqipërisë. Duro, duke folur në emisionin “Kuqezi” në SuperSport, pas ndeshjes me Izraelin, deklaroi se trajneri Reja u nxitua me zëvëndësimin e dyshes së Empolit, Bajrami-Asllani, të cilët po bënin mirë dhe mund të jepnin ende.
Tekniku tha se pjesa e dytë ndaj Izraelit ishte një katastrofë, teksa shtoi se trajneri Reja mban përgjegjësi për këtë ndeshje. Duro u shpreh se situata nuk është pozitive, ndërsa theksoi se sidoqoftë Broja është një sulmues që bën diferencën.
“Situata nuk është pozitive, kishim besim se do të merrnim rezultat pozitiv. Kemi bërë pjesë të parë të mirë. Broja është futbollist që bën diferencën. Në 2-3 momente, ishte ai protagonist i veprimeve sulmuese. Është djalë i ri dhe ka momente që duhet të ndahet nga topi. Është e ardhmja e Kombëtares dhe çdo gjë duhet të fillojë nga ai. Pjesa e parë ishte përgatitur jashtëzakonisht mirë, nuk i la hapësira Izraelit.
Ishte një pjesë e parë që për fat u mbyll me rezultatin 1-0 si në Islandë. Pjesa e dytë, ishte totalisht katastrofë. Qysh në 10 minutat e para para golit, u duk që skuadra nuk po funksiononte.
E çuditshme është që kur je 1-0 luan me 5-mbrojtësa dhe të kapin në kundërsulm, kjo është e pafalshme. Bajrami dhe Asllani u ndërruan shpejt. Janë futbollistë që i japin frymëmarrje skuadrës. Pas 2-1 ishte një ndeshje për të mos u parë më. Katastrofë përgatitja e ndeshjes në pjesën e dytë. Izraeli ishte një skuadër shumë e fortë.
Edhe një trajner në Superiore, kur erdhi tha që nuk bie kjo skuadër nga kategoria, pastaj në fund tha që po ta kisha marrë që nga fillimi skuadrën, do ta kisha shpëtuar. Këta italianët janë mjeshtra të fjalës të gjithë. Kombëtarja duhet të fillojë me Asllanin, Bajramin dhe Brojën”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Laçit, Shpëtim Duro.
Maringlen ZHIVANI