Kombëtarja e Shqipërisë U-17 do të zbresë në fushë nga dita e sotme, për të nisur nga përgatitjet për dy sfidat miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës.

Kështu ditën e djeshme, trajneri Ervin Bulku ka bërë publike listën e futbollistëve të grumbulluar për këto miqësore të vlefshme për ekipin U-17, duke thirrur 24-futbollistë në total. Pjesë e kësaj liste janë edhe dy futbollistët shkodranë të Vllaznia U-17, Egert Selmani dhe Xhoel Hajdari.

Kështu, me interes mbetet për t’u parë përformanca e tyre në këto dy ndeshje ndaj Kosovës, teksa bëhet fjalë për dy ndër futbollistët më të mirë të Vllaznia U-17.

Këto janë dy teste mjaft të vlefshme për kuqezinjtë e ekipit U-17 si dhe për stafin kuqezi të Kombëtares U-17 për të vlerësuar nga afër dhe për të spikatur elementët më të mirë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2022/2023 për këtë grupmoshë, ku horti e ka vendosur ekipin e Bulkut në Grupin 7 së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin.

Shqipëria U-17 ka zhvilluar disa seleksionime, grumbullime e ndeshje miqësore që nga fillimi i vitit, teksa së fundmi shkëlqeu në turneun “UEFA Develompent” që u zhvillua në vendin tonë në muajin prill, duke siguruar vendin e parë në grup me 9 pikë të plota.
Maringlen ZHIVANI