Kategoria Superiore zhvilloi dje javën e 26-të. Në pesë ndeshjet e kësaj jave u shënuan 11 gola, ndërsa vetëm në duelin mes Tiranës dhe Apolonisë u shënuan 7 të tillë në rezultatin 5-2. Vllaznia dhe Partizani u ndanë në paqe pa gola, ndërsa Teuta fitoi 1-0 me Laçin, duke marrë kreun e renditjes.

Bylis barazoi 1-1 me Kastriotin, ndërsa Kukësi u mposht në “shtëpi” nga Skënderbeu. Newsport.al ju sjell formacionin më të mirë të javës, nisur edhe nga performanca në fushë. Trajneri më I mirë është Edi Martini, me Teutën e tij që kapi kreun pas fitores në shtëpi.

Bojan ZOGOVIC (Vllaznia) – Shkodranët barazuan 0-0 me Partizanin, teksa mbajnë sërish kreun së bashku me Teutën. Sfida ishte e luftuar në mesfushë, ndërsa në disa raste portieri malazez i Vllaznisë bëri pritje vendimtare. Në një moment, Zogovic ka treguar veten mes shtyllave, me vendasit që kanë marrë pikë ndaj një kundërshtari direkt.

Frankin NTEPHE (Bylis) – Realizoi golin e barazimit për Bylis. Ballshiotët morën një pikë ndaj Kastriotit në shtëpi, teksa u desh Ntephe që përfitoi nga ajo gafë e Isli Hidit. Mbrojtësi që aktivizohet edhe në mesfushë besoi deri në fund se mund të përfitonte nga ai rast, duke e çuar topin në rrjetë.

Eneo BITRI (Partizani) – Beratasi 24 vjeçar tregoi se në ndeshjet e mëdha ka fituar siguri në prapavijë. Në ndeshjen që Partizani barazoi 0-0 me Vllazninë, Bitri u dallua për luftën në ajër dhe dyluftimet e fituara me kundërshtarët. Mbrojtësi qëndror u dallua edhe për lojën poshtë me topin, duke bërë që aksionet të nisin nga mbrojtja.

Mevlan ADILI (Vllaznia) – Ndër blerjet e goditura të verës te Vllaznia është edhe Mevlan Adili. Qendërmbrojtësi mban peshën e ekipit, duke dalë shpeshherë edhe përpara. Si një nxitës në fushë, lojtari është edhe lideri i dhomave të zhveshjes, teska ka marrë përsipër edhe rezultatet e dobëta që Vllaznia pësoi në javët e fundit.

Marsel ISMAJLGECI (Tirana) – Mëngjarashi-goleador. Djaloshi i kombëtares ka treguar rritje në lojën e tij, duke bërë që të jetë titullar i padiskutuar. I saktë në pasime, fasha e majtë e bardhebluve ka pësuar ndryshime, me Ismajlgecin që edhe këtë sezon ka treguar cilësi në lojë, kombinime apo realizime.

Idriz BATHA (Tirana) – Kapiteni mori përdore Tiranën në fitoren e djeshme. Goli i mesfushorit i hapi rrugën fitores së bardhebluve, ndërsa “Pitbulli” ishte i saktë në mesfushë. Organizimi i lojës dhe nuhatja për të dalluar lëvizjet e kundërshtarit, janë pikat e forta të gjirokastritit.

SKERDILAJD Levendi (Apolonia) – Është vetëm 19 vjeç dhe ia ka dalë të jetë titullar plot 13 herë këtë sezon në mesfushën e Apolonisë. Dje, Levendi ia doli që për disa minuta të dridhte Tiranën, duke bërë që të tijtë të ëndërronin. Me dy golat e tij në sfidën e javës së 26-të, djaloshi tregoi edhe njëherë cilësitë e tij.

Elton CALE (Tirana) – U fut si zëvendësues dhe ndryshoi lojën e Tiranës. Braziliani veç golit ishte një pikë e fortë në fitoren e djeshme. Dëmtimi i këtij sezoni dhe qëndrimi për disa ndeshje jashtë kanë bërë që te bardheblutë të ndihet mungesa e tij. I shpejtë në veprim dhe driblim, Cale është ai që krijon hapësirat te bardheblutë, duke qenë ndër më të rrezikshmit në fazën ofensive.

Indrit PRODANI (Kastrioti) – Nëse disa ndeshje më parë Prodani shënoi emrin në rekordet negative të Superligës për numrin më të lartë të kartonave të verdhë, dje në barazimin Bylis 1-1 Kastrioti ishte njeriu I ndeshjes. Veç kësaj, djaloshit iu deshën vetëm 73 sekonda për të kaluar të tijtë në avanatazh. Një piston në krahët e mbrojtjes dhe mesfushës, Prodani di sesi të bëjë për vete Ndreun, që I ka besuar minutat maksimale këtë sezon.

Dejvi BREGU (Teuta) – Vlonjati edhe njëherë tregoi cilësitë e tij te Teuta. Me golin e tij të veçantë, Bregu i dha tri pikë me vlerë Teutës, që siguroi vendin e parë të klasifikimit, me pikë të barabarta me Vllazninë. Jo më kot vlera e Bregut në treg kap shifrat e 325 mijë eurove. Driblues, i shpejtë në mendim e veprim, Bregu ka treguar se është ndër lojtarët më të mirë të Superligës.

Alfred MENSAH (Skënderbeu) – Korçarët fituan dje 0-1 me Kukësin në “Elbasan Arena”. Deçiziv për të besuarit e Memellit ishte Alfred Mensah, që me golin e tij ia doli t’I jepte fitore juglindorëve, që janë në garë për mbijetesën. Mensah tregoi se është ndër sulmuesit nuhatës të golit te korçarët.

Trajner: Edi MARTINI (Teuta) – Shkodrani i Teutës barazoi me pikë Vllazninë në krye, ndërsa golavarazhi i jep të drejtë të mbajë vendin e parë në klasifikim. Martini ka ndërtuar një skuadër solide, ndërsa e vështirë është që durrsakët të pësojnë gol. Të ndërtuar për titullin kampion, Teuta tanimë mori kreun edhe falë ideve të Martinit.

Formacioni (4-3-3): Zogovic, Ntephe, Bitri, Adili, Ismajlgeci, Cale, Batha, Levendi, Prodani, Bregu, Mensah