Kombëtarja shqiptare e futbollit nuk është e vetmja që ka pësuar një krizë të mirëfilltë dëmtimesh para eliminatoreve të Euro 2024 duke humbur lojtarë të rëndësishëm. Me sa duket i njëjti fat po ndjek edhe Poloninë, me trajnerin e ri Fernando Santos i cili është detyruar të ndryshojë planet e tij gjatë ditëve të fundit.

Pas publikimit të listës, u mësua se mbrojtësi Bartosh Berezinski i Napolit dhe Kamil Piatkovski i Gent, nuk do të ishin të gatshëm për ndeshjen si pasojë e dëmtimeve.

Listës më pas iu shtua edhe mesfushori i Vitese, Kacper Kozlovski, i cili ka pësuar një dëmtim në grumbullim dhe nuk është stërvitur me ekipin, ndaj cilësohet jashtë për dy ndeshjet ndaj Republikës Çeke dhe Shqipërisë.

Sot, është mësuar se edhe mesfushori Sebastian Szimanski nuk ka kryer stërvitje me ekipin pasi ka një problem muskulor dhe gjithashtu mendohet se mund të humbasë të dy ndeshjet. Një goditje jo e vogël për Santos, i cili sheh mesfushorin e Fejenord si një prej elementëve që mund të aktivizonte në këto dy ndeshje, duke parë formën që po kalonte.

Këto telashe u shtohen atyre të lënies jashtë liste të emrave të njohur si Glik, Kryçoviak, Grosiçki apo Milik nga trajneri portugez në grumbullimin e parë të tij.