Stërvitja e ekipit të Vllaznisë ka vijuar sot normalisht me zhvillimin e seancës së rradhës në fushën sportive të Shtojit. Nën drejtimin e trajnerit Canaj kanë qenë të pranishëm të gjithë futbollistët, madje edhe portieri Sherri që vazhdon të jetë me paterica ka qenë aty, por kuptohet i pamundur për t’u stërvitur.

Por sakaq, përveç tij sot tek kuqeblutë kanë dalë edhe dy probleme të tjera të cilat padyshim që kanë shqetësuar në njëfarë mënyre stafin teknik.

Kështu, mbrojtësi Antonio Marku dhe Arsen Hajdari, nuk kanë qenë me grupin por kanë zhvilluar vrapime rreth fushës duke zhvilluar stërvitje individuale.

Të dy ata kanë shfaqur shqetësime të ndryshme dhe për këtë arsye, janë këshilluar të mos marrin ngarkesa të plota për këtë seancë dhe ndoshta edhe ditët e ardhshme.

Nuk përjashtohet mundësia që nëse vazhdojnë të ndjejnë shqetësime, të mos grumbullohen fare për ndeshjen e rradhës me Dinamon që do të zhvillohet ditën e dielë.

Kjo nuk përbën ndonjë problem sepse edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Korabit, u lanë pushim disa titullarë të tjerë, duke u dhënë mundësi lojtarëve të tjerë për të luajtur dhe kështu mund të ndodhë edhe këtë herë.
© shkodrasport.com