Vllaznia nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 në javën e 22-të të Superiores. Kuqeblutë ndodhen tashmë në vendin e tretë në kuotën e 35 pikëve, 5 më pak se Tirana kryesuese. Një diferencë totalisht e rikuperueshme duke parë se në lojë janë 45 pikë të tjera.

Deri në këtë pikë të edicionit ka disa nga futbollistët që kanë bërë diferencën. Nga ata sportistë që kanë shkëlqyer me performancat e tyre dhe kanë ndihmuar ekipin në marrjen e pikëve të rëndësishme. Duke nisur nga golashënuesi i këtij sezoni deri në këto momente për kuqeblutë, Herald Marku. Mesfushori ka gjetur 6 herë rrjetën deri më tani, duke qenë shumë rezultativ.

Dhe pavarësisht në rolin e mesfushorit, ai ka ditur të jetë një “bomber” për shkodranët. Një mesfushor tjetër që ka mahnitur me nivelin e tij është Esat Mala. Prizrenasi cilësohet si një ndër më të mirët e gjithë kampionatit e tek shkodranët ka kontribuar me asiste. Ai ka dhënë 5 pasime të fundit për shokët e skuadrës, duke qenë më i miri në këtë statistikë.

Dyshja “Ma-Ma” ka qenë me të vërtetë shumë deçizive deri më tani për Vllazninë. Patjetër që tek kuqeblutë duan akoma më tepër nga jo vetëm kjo dyshe, por nga i gjithë ekipi. Duke parë edhe pretendimet madhore që kanë shkodranët e drejtuar nga Josa në këtë edicion.
Endri ÇINARI