Kukësi duket se e ka lënë pas krahëve humbjen në ndeshjen e fundit me Teutën, edhe pse erdhi përballë një kundërshtari direkt në luftën për mbijetesë.
Verilindorët u ndëshkuan vetëm në saj të dy episodeve që nuk i patën në favor dhe gabimeve të tyre, siç ishte dalja e gabuar e portierit Angelos Tafas dhe penalltia e humbur nga sulmuesi brazilian, Gabriel Barbosa.
Momente që vendosën sfidën, pasi në tërësi të besuarit e trajnerit Rrahman Hallaçi prodhuan lojë dhe ky fakt jep besim se situata mund të ndryshojë për mirë.
Gjithsesi, tani gjithçka është lënë pas dhe skuadra është e fokusuar tërësisht te ndeshja e së premtes me Partizanin në “Kukës Arena”, aty ku shpresojnë të dalin me tri pikët. Me mbështetjen e tifozëve, ku nuk mungon edhe thirrja për ta, në Kukës presin rikthimin sa më parë te rezultatet pozitive.
SITUATA NË SKUADËR Përpos humbjes së fundit, pritet që Kukësi praktikisht të mos ndryshojë asgjë sa i përket titullarëve dhe rreshtimit në fushë ndaj të kuqve, me Hallaçin që do t’i besojë thuajse të njëjtëve titullarë.
Ekipi e ka krijuar tanimë fizionominë e vet në lojë dhe ka pak gjasa që të pësojë ndryshime në këtë moment të kampionatit.
Shqetësim vijojnë të sjellin dy lojtarët që munguan për arsye dëmtimi, si mesfushori me tipare sulmuese, Xhonson Ovusu dhe qendërmbrojtësi Antonio Ilieski, të cilët janë në luftë me kohën për t’u rikthyer sa më shpejt me skuadrën.
Pjesa tjetër e ekipit është në rregull, për aq kohë sa nuk do të ketë mungesa për arsye kartonësh këtë javë.
THIRRJA E KLUBIT Në Kukës e shohin si një ndeshje të rëndësishme përballjen me Partizanin, ndaj edhe bëjnë thirrje për një prezencë sa më të madhe të tifozërisë në shkallët e stadiumit.
Problem sigurisht mbetet orari, pasi të premten në 13:00 është një orar zyrtar pune dhe jo të gjithë do të kenë mundësinë ta shohin nga afër këtë sfidë.
“Të premten rikthehemi në Kukës për ndeshjen e javës së 23-të të Superiores. Skuadra jonë do të përballet me Partizanin dhe prezenca juaj në stadium do të ishte një shtysë e madhe dhe forcë për ekipin. Momenti i vështirë që skuadra po kalon, mund të lihet pas vetëm me mbështetjen tuaj. Të premten, në orën 13:00 ju presim në ‘Kukës Arena’”, thuhet në njoftimin e klubit verilindor.
Në ndeshjet e fundit ka pasur një prezencë më të shtuar të tifozerisë në Kukës, prandaj shpresohet që numri i tyre të jetë i lartë edhe për sfidën ndaj të kuqve. Gjithnjë ndeshjet Kukësi-Partizani kanë afruar tifozë të shumtë në stadium.