Vllaznia është nisur drejt Ulqinit dhe trajneri Ernest Gjoka pret edhe futbollistë të tjerë atje. Në listën e publikuar nga klubi ditën e djeshme ishte i përfshirë edhe emri i mbrojtësit Denis Pjeshka, i cili prej disa kohësh ka qenë i dëmtuar dhe është drejt rikuperimit për pjesën e dytë të sezonit. Sot i riu, së bashku me fizioterapistin e ekipit, Ilirjan Haxhajën, kanë qenë së bashku për të kryer edhe fazën e fundit të rehabilitimit të dëmtimit dhe së shpejti Pjeshka do të nisë përgatitjet.

Konkretisht ditën e martë ai do të jetë në Ulqin për të nisur fazën përgatitore me ekipin. 22-vjeçari, i cili ka debutuar që në vitin 2013 me Vllazninë, në fillim të këtij sezoni ishte titullar fiks dhe është aktivizuar në nëntë ndeshje nga minuta e parë. Rikthimi i tij është një lajm i mirë për stafin teknik, që në fakt kërkon të afrojë edhe dy qendërmbrojtës të tjerë. /EDS/